Java e tregjeve, marshojnë europianet dhe aziatiket

Nga
Java e tregjeve, marshojnë europianet dhe aziatiket

Bursat aziatike regjistrojnë javën me performancën më të mirë në 5 muajt e fundit ndërkohë që nafta mbyll javën e dytë me rritje në mbi 6%.

Prej dy javësh tashmë, tregjet e aksioneve kanë lënë pas panikun dhe luhatjet e theksuara dhe reflektojnë qetësinë që gjenerojnë tregjet aziatike dhe ari i zi. Tregjet europiane ndërkohë mbyllin javën e tretë me radhë në fitim, kryesisht falë marshimit të tregut të lëndëve të para dhe shpresa për stimuj të rinj nga ana e Bankës Qendrore Europiane javën e ardhshme.  

Investitorët duket se kanë lënë pas shqetësimet në lidhje me ngadalësimin e ekonomisë globale të paktën për momentin. Në tregun e valutave ndërkohë luhatjet duken minimale. Pasi humbi ndjeshëm territor në fillim të javës, monedha e përbashkët europiane u rikthye në pozitat e mëparshme në krahasim me dollarin amerikan. Paundi britanik nga ana tjetër fiton më shumë se 2% gjatë javës kundrejt shportës së valutave kryesore.

Ekspertët shprehen se edhe projeksionet tashmë janë më optimiste. Nafta pritet të vazhdojë vrullin ndërkohë që të dhënat që vijnë nga Shtetet e Bashkuara flasin për një ekonomi të shëndoshë. Tregjet europiane do të vazhdojnë marshimin të paktën deri në 10 Mars kur Banka Qendrore Europiane pritet të njoftojë stimujt e rinj.