Arti i ndriçimit, në duart e Eliona Naçit. Pasioni i krijimit të abazhurëve artizanalë

Nga
Arti i ndriçimit, në duart e Eliona Naçit. Pasioni i krijimit të abazhurëve artizanalë

Arredimi i ambienteve të brendshme mbetet një ndër dilemat në shijet e njerëzve. Një ndër detajet që plotësojnë arredimin është edhe ndriçimi, madje mund të konsiderohet si një ndër detajet e rëndësishme për të marrë vlerësimin e duhur.

Ndriçimi luan rolin kryesor në dhomat e shtëpisë. Shumë prej nesh e shikojnë atë si një pjesë thelbësore të shtëpisë, duke marrë parasysh anën funksionale.

E thënë nga arkitektët është diçka e sigurt, që me anë të ndriçimit të duhur ju mund të shndërroni pamjen e dhomës dhe të shtëpisë në tërësi.

Eliona Naçi, financiere në profesion, prej më shumë se dy vitesh ka nisur t’i përkushtohet ndriçimit. Gjithçka nisi nga dëshira e saj për të bukurën dhe larg monotonisë së asaj çka na ofrohet. 

Eliona arrin të krijojë abazhurë në mënyrë artizanale, të gjithë të punuar me dorë. Ky është një pasion i saj që po perfeksionohet çdo ditë dhe më shumë.

Nga financa te ndriçimi

Ajo tregon për “SCAN MAGAZINE” se si mori udhë një nismë e tillë. “Lindi nga dashuria, ashtu si çdo gjë e bukur. Para disa vjetësh m’u desh të mendohesha për një dhuratë për shtëpinë e re të motrës sime. Gjithmonë kam parapëlqyer një formë personalizimi të të bërit dhurata dhe gjithmonë jam munduar që ato të kenë qenë sa më të veçanta. Kjo, realisht ka qenë gjeneza e gjithçkaje. S’mund të lë pa thënë se jam rritur mes dy njerëzve shumë të dashur për mua, gjyshërve të mi, persona të cilët jo vetëm kanë ndikuar e lënë gjurmë në këtë që jam sot e unë iu detyrohem shumë, por gjithashtu më kanë lënë një pasuri të madhe, jo monetare, sepse nuk kanë të paguar ato që kam trashëguar prej tyre” – thotë ajo.

Të gjitha këto, asaj, i kanë zgjuar interesin e të koleksionuarit të gjërave, të cilat i përdor për ta bërë botën një vend më të bukur .Gjyshi i saj ka qenë historian e ajo ruan me fanatizëm një pjesë të mirë të dorëshkrimeve të tij, pulla, certifikata, dëftesa, kartolina e letërkëmbime e ditaret e tij personale, Të gjithë këta elementë janë përdorur si motive dizajni për abazhurët e saj. “Nga gjyshja, të cilën kam shansin e madh ta kem ende pranë, ruaj thesare shumë të bukura; sende të sajat personale të viteve ‘40-‘50, module rrobaqepësie, si edhe revista mode të po këtyre viteve nga vende të ndryshme te botës, disa prej të cilave janë kthyer në motive të përdorura për kompozimin e veshjes së abazhurëve. Kështu vendosa që pjesë të këtij thesari t’i përdorja për dizajnin e dy abazhurëve të mëdhenj të cilët do t’ia bëja motrës dhuratë. E kështu u bë! Në sallonin e saj të pritjes qëndrojnë fare bukur dy abazhurë. I pari është plot me harta, të cilat ne, kur ishim të vogla i shkarravisnim kur mësonim numrat e germat e para, e i dyti, me pjesë jete, me disa pulla, pak letërkëmbim e disa shkrime të shkëputura nga ditari personal, ku pjesa e preferuar është përjetimi i ditës së lindjes të motrës, të cilën gjyshi ynë e kishte përshkruar në ditarin e tij” – tregon Eliona. 

Sipas saj, rruga drejt finalizimit, nga ideja, e deri në realizimin e ndriçuesit ishte tejet e vështirë e kjo qe ajo që e shtyu të mendonte se diçka të tillë mund ta realizonte vetë, duke iu ardhur në ndihmë atyre që dëshironim diçka të tillë.

Ajo që sot po kërkohet më së shumti janë ndriçuesit e personalizuar. Në të mund të vendosen copëza të jetës sonë duke ndriçuar edhe pjesë të shpirtit.

Artiste e dritës

Kur e pyesim Elionën se sa e vështirë është të bësh “artisten” e dritës, ajo na tregon se, të bësh dritë është si të thuash, të marrësh pranë vetes gjërat që ke më të dashura dhe mbi to të krijosh art ndriçimi: “Unë bëj dritë me çka kemi të dashur. Kënga e zemrës, një, apo shumë fotografi të njerëzve të dashur; një revistë e vjetër, një film i preferuar, vizatimi i fëmijës, e gjithçka që ka të bëjë me personin të cilit i dedikohet. Rrekem të kuptoj marrësin, atë për të cilin është menduar ndriçuesi, mundohem të jem e kujdesshme në kapjen e një detaji sado të vogël i cili mund të më shërbejë si një ide, pastaj, udha e krijimit është e paparashikueshme,” – thotë ajo. Si në çdo formë arti, ajo frymëzimin ia lë momentit dhe kjo është një taktikë që deri më tani nuk e ka zhgënjyer.

Procesi është relativisht i gjatë e kalon në disa faza, ku secila ka rëndësinë dhe kërkon kohën e vet. Një periudhë 10-12 ditore është e mjaftueshme, por që ka edhe kjo përjashtimet e saj duke marrë parasysh që procesi i konceptimit dhe realizimit grafik të idesë mund të zgjasë më shumë nga ç’shkon zakonisht.

Rëndësi ka që kur tjetri merr në dorë krijimin, ajo çka përcillet përmes tij nuk duhet të jetë vetëm materializimi i mendimit, por duhet të ketë edhe një copëz shpirti aty brenda. Për të, këtu qëndron vështirësia më së shumti, në gjetjen e burimeve për lëndën e parë e në krijimin e një marrëdhënieje reciproke të të punuarit me furnitorë e bashkëpunëtorë, mangësi të cilat i vuajnë në përgjithësi shqiptarët.

Kënga e preferuar, fotografi njerëzish të zemrës, një revistë e vjetër, janë disa nga aksesorët që ne mund t’ia vendosim një abazhuri. Njerëzit kërkojnë të vendosin ndjesitë e tyre mbi këto pajisje ndriçimi. Eliona është çdo ditë në kontakt me njerëz të cilët e duan ndriçimin e për më tepër atë të personalizuar.

Ajo tregon se ka një kategori njerëzish gjithnjë e më shumë në rritje për fat të mirë të cilët janë të tejngopur me idenë e serisë dhe se në një mënyrë apo në një tjetër janë kthyer drejt unikes, drejt të veçantës, drejt artizanatit. Puna e Elionës është një nga mënyrat për ta risjellë cilësinë dhe vlerën e artizanales në të përditshmen e jetës sonë.

Një ndriçues është sot një orendi e domosdoshme në shtëpitë tona. Sipas saj, ndërfutja e dizajnit, në kuadrin e artit grafik të cilin na e mundëson teknologjia, në artizanat, është vlerë e shtuar në atë që ofron ajo. E rëndësishme është të lësh diçka, një gjurmë, të mbetet tek të tjerët diçka prej teje apo e asaj që ti bën.

Naçi tregon me tej, në rrëfimin e saj, se e thënë më shkurtimisht, mbi një abazhur mund të krijohet një histori jete. Për të, mbi një sipërfaqe të tillë mund të krijojmë gjithçka, pasi personalizimi dhe kreativiteti nuk njeh limite.

Ka pasur raste kur janë hedhur të gjitha çastet e rëndësishme të një historie dashurie, duke filluar që nga fotoja e parë së bashku, deri në momentin e kurorëzimit të kësaj dashurie. Eliona thotë se e gjen veten shoqëruese e tyre në këtë rrugëtim, dhe priret t’ua bëjë sa më të kënaqshëm, në mënyrë që këto mbresa të bëjnë dritë bukur, e të mbeten të pashlyera, jo vetëm në kujtesën e tyre.

Sot na ofrohen aksesorë arredimi të shumëllojshëm, e ata na mundësojnë të krijojmë atmosferën që duam dhe  luajmë me imazhin.

Nga Jolanda Shuaipi/SCAN Magazine