Pushimet e “bardha” në Shqipëri? Alternativat për turizëm dimëror në vendin tonë

Nga
Pushimet e “bardha” në Shqipëri? Alternativat për turizëm dimëror në vendin tonë

Turizmi malor duket se është shndërruar në një nga tendencat më të pëlqyera të shqiptarëve.

Dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror. Dimri është një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore.

Në shumicën e rasteve pyetja me e zakonshme që njerëzit shtrojnë është se cilat janë disa nga destinacionet perfekte për të provuar një aventurë dimërore, kush janë çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë. Po ashtu pyetja e përhershme mund të themi që shqiptarët shtrojnë kohët e fundit është se ku do të ishte vendi ideal për të kaluar festat e fundvitit, jashtë apo në Shqipëri.

Udhëtimi është ai që i shton bukurinë kësaj stine. Udhëtime që të çojnë në vende të cilat janë mbuluar nga dëbora, ku pista e skive është gati, dhe mëngjeset të ofrojnë një bardhësi të majave të maleve, të cilat të magjepsin. Sapo dimri shfaqet, edhe dëbora mbulon Shqipërinë, dy janë emrat që menjëherë të vijnë ndërmend, Dardha dhe Voskopoja .

Të gjithë e kanë si mbërritje, duan të shkojnë shpesh e të rikthehen, për të vizituar këto vende, të kalojnë një fundjavë ndryshe, të shijojnë emocionet që këto vende dinë të falin. Dy udhëtime të bukura, të cilat kanë çdo gjë që mund të kërkosh, është një program i cili përfshin njohjen e këtyre dy simboleve të kulturës, vjetërsisë, historisë, gastronomisë.

Vende të cilat të japin një pasqyrë më të qartë për të kaluarën e vendit tonë. Në dimër vizitat nëpër këto vende bëhen më interesante, pasi në Dardhë gjendet një pistë në të cilën çdokush mund të shijojë sportin e bukur të skive. Gjendet një pistë, e cila çdo vit bëhet më e përmirësuar.

Alban Jovani nga klubi “Discover Albania“ na tregon më shumë rreth mundësive dhe kushteve që kemi për të vizituar këto vende.

Festat dhe pushimet janë gjithmonë një motiv i fortë për të udhëtuar. Por, buxheti mbetet pengesa më e madhe që duhet kaluar për të realizuar këtë dëshirë. Si do t’i përcaktoni këto pushime dimërore, si shumë të shtrenja apo brenda normales?

Së pari ajo që do të thoja është që udhëtimet të mos mbeten vetëm për festa, por duhet të udhëtojmë më shpesh, dhe duke qenë se udhëtimet janë të lidhura ngushtë me buxhetin jo gjithmonë arrijmë t’i përballojmë udhëtimet jo vetëm brenda, por dhe jashtë shtetit, mund të them se çmimet që ofron Shqipëria janë brenda normales, madje më lirë sesa të udhëtuarit jashtë, dhe e justifikojnë në mënyrë të plotë. 

Pushimet dimërore, a po bëhen traditë për shqiptarët?

Është mëse e vërtetë që pushimet dimërore po kthehen në një traditë sikundër kemi pushimet klasike përgjatë verës. Dimri të ofron dëborën, zjarrin, mundësinë për të bërë ski, dhe për të përjetuar momente të veçanta dhe për të krijuar kujtime të bukura. 

A ofrojnë këto “shtëpi pushimi” të gjitha standardet për të kalur një fundvit ndryshe nga çka mund të kemi kaluar më parë?

Shtëpitë e pushimit, hotelet, pra të gjitha strukturat e akomodimit i ofrojnë të gjitha kushtet për të mirëpritur klientët, dhe çdo vit vihet re një përmirësim i tyre, në të gjitha aspektet, ngrohje, e të gjithë elementët e nevojshëm të cilët i tërheqin dhe japin kënaqësinë maksimale tek klientët, duke bërë që të gjithë të rikthehen vitin tjetër. 

Çfarë ka ndodhur në gjithë këto vite, a kemi patur rritje të cilësisë së shërbimit ?

Cilësia e shërbimit është rritur në mënyrë të ndjeshme, por ama gjithmonë ka vend për përmirësim, i cili do t’i tërhiqte akoma më tepër turistët drejt këtyre vendeve, dhe të bëheshin zgjedhja kryesore për t’u vizituar. Është për t’u vlerësuar mikpritja e ngrohtë, e cila të bën të ndihesh si në një familje, dhe kjo është një cilësi e veçantë e shërbimit. 

A mund ta përcaktojmë stinën e dimrit si një mundësi po aq bindëse për të kaluar bukur dhe ndryshe përmes udhëtimesh apo sporteve dimërore?

Sigurisht që në ndryshim nga vera, e cila ka më tepër aktivitete, dimri ofron shumë më pak, por ama është një stinë e cila të jep mundësinë për udhëtime të bukura, sportin e skive dhe ndjesi dimërore që stinë tjetër nuk mund të t’i dhurojë. Do të duhet akoma dhe më shumë kohë që kjo të kthehet në një kulturë për gjithë shqiptarët. Megjithëse duhet të themi se ka patur shumë ndryshime. Nëse më parë as nuk mund të diskutohej për një udhëtim në ditë të ftohta dimri, sot flasim për turizëm të mirëfilltë dimëror.  Kjo është një punë  e përbashkët e shumë njerëzve, të cilët përpiqen të ofrojnë më të mirën për turistët. E sigurisht dhe ai më pas të marrë kënaqësinë e një udhëtimi dimëror. 

Cilat janë disa nga destinacionet perfekte për të provuar një aventurë dimërore, çmimet dhe alternativat që ato ofrojnë.

Ndër destinacionet kryesore mbeten Dardha dhe Voskopoja, por gjithashtu dhe veriu nuk mbetet më mbrapa, pasi tashmë dhe infrastruktura vitet e fundit është përmirësuar duke i krijuar mundësinë njerëzve për të udhëtuar dhe në zonën e verilindjes. Ka vende që nuk frekuentohen në mënyrë kaq masive, por dhe Puka do të ishte një mundesi për të kaluar pushime të bukura, dhe për të provuar një aventurë dimërore. Ushqimi karakteristik, ski, dëborë, oxhak, janë disa nga elementët që të gjithë jemi në kërkim dhe këto vende mundet të t’i japin më së miri. 

Mendoni se rajoni ofron pushime dimërore më të mira sesa vendi ynë?

Çdo vend ka avantazhet dhe disavantazhet e veta, dhe vendet e rajonit kanë patur një zhvillim më të lartë, duke u kthyer në destinacionet kryesore, por jam shumëi bindur që me kalimin e kohës dhe së shpejti, dhe ne do të kemi mundësinë për të konkurruar në mënyrë të denjë këto vende. Është një rrugë e gjatë që kërkon bashkëpunimin e shumë palëve, sepse përndryshe nuk arrihet tek finalizimi i synimeve. Vitet në vazhdim do të na lejojnë të kuptojmë suksesin që do të kenë pushimet e “bardha” edhe në Shqipëri. 

Jolanda Shuaipi/SCAN Magazine