Sondazhi i RTV SCAN, kreditimi i bizneseve të reja për vitin 2017

Nga
Sondazhi i RTV SCAN, kreditimi i bizneseve të reja për vitin 2017

Kredia e sistemit bankar për çeljen e bizneseve të reja është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të nëntorit 2016, totali i kredisë për hapje biznesesh të reja arriti në 4.7 miliardë lekë, në rritje me afro 31% që nga fillimi i vitit.

Në peshë specifike, kredia për çelje biznesi ka një peshë mjaft modeste ndaj totalit të kredisë për biznesin, me rreth 1.3%. Kjo ndodh sepse, përgjithësisht, bankat nuk financojnë hapjen e bizneseve të reja, në mungesë të një historiku që mundëson vlerësimin e kredimarrësit dhe të projektit.

Megjithatë, në rastet e sipërmarrësve që mund të kenë historik veprimtarie në sektorë të tjerë dhe zotërojnë një kolateral të pranueshëm, bankat mund edhe të financojnë nisjen e një aktiviteti të ri biznesi. Në përfundim të sondazhit të kësaj jave në faqen e internetit të “RTV SCAN”, shumica e pjesëmarrësve presin rritje të kreditimit për bizneset e reja gjatë vitit 2017.

Rritja e kredisë bankare për çelje biznesi dëshmon sidoqoftë një qasje më pozitive të sistemit bankar ndaj projekteve të reja të sipërmarrjes. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit, për vitin 2016 në Shqipëri u regjistruan 19.100 biznese të reja.