Kreditimi i biznesit, bankat: Ka sinjale pozitive

Nga
Kreditimi i biznesit, bankat: Ka sinjale pozitive

Kreditimi i bizneseve dha disa sinjale pozitive në fund të vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për nëntorin u dhanë rreth 18 miliardë lekë kredi të reja për biznesin, shifër kjo ndjeshëm më e lartë krahasuar mesataren e muajve të mëparshëm.

Sofika Nazaj, zëvendësdrejtore e Divizionit të Zhvillimit të Biznesit në Credins Bank, thotë se tremujori i fundit i vitit 2016 ka sjellë një lloj gjallërimi në kreditimin e biznesit, në linjë edhe me tendencat sezonale të kreditimit.

Sipas saj, bankat po riorientojnë kreditimin drejt biznesit të mesëm dhe të vogël, me qëllim zbutjen e përqendrimit të lartë në segmentin e koorporatave. Sipas saj, përmirësimet në kreditim do të jenë graduale.

Pavarësisht ritmeve më të mira të rritjes ekonomike, kreditimi mbështete në të dhënat financiare të bizneseve në vijimësi, ndaj kjo ecuri më pozitive do të kërkojë kohën e vet për t’u pasqyruar në kreditim më të lartë të ekonomisë.

Dështimet e disa prej korporatave të rëndësishme në sektorë strategjikë të ekonomisë kanë krijuar probleme edhe për sistemin bankar, por edhe një lloj boshllëku në kërkesën për kredi.

Bankierët shprehen se, me gjithë zhvendosjen e një pjese të kreditimit te segmente të tjera të biznesit, menaxhimi i gjendjes delikate të disa prej kompanive në sektorë strategjike dhe ristrukturimi i tyre kanë një ndikim të konsiderueshëm në ritmet e kreditimit.

Credins Bank edhe këtë vit ka ruajtur ritme të rritjes më të larta në raport me mesataren e sistemit bankar, rritje e mbështetur kryesisht te zgjerimi i portofolit të kredisë. Zonja Nazaj vlerëson se viti 2017 do të jetë më pozitivë dhe pritet që përmirësimet e deritanishme në mjedisin ekonomik dhe financiar të fitojnë më shumë qëndrueshmëri.

Ekonomia shqiptare pritet të rritet me rreth 3.8% gjatë vitit 2017. Vendosja në përdorim e më shumë kapaciteteve prodhuese pritet të mbështetet edhe nga përmirësimi i aktivitetit kreditues, sidomos në segmentin e biznesit.