Draghi u përgjigjet populistëve: Euro është një rrugë pa kthim, këto janë traktatet

Nga
Draghi u përgjigjet populistëve: Euro është një rrugë pa kthim, këto janë traktatet

"Euro është një rrugë pa kthim"-deklaroi Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, përballë europaralamentarëve, në përpjekjen e tij të radhës për të mbrojtur monedhën e përbashkët europiane. Deklaratat e tij vijnë në një kohë që, populistët në të gjithë kontinentin kanë shtuar dozat e sulmit ndaj monedhës europiane.

"Ky është traktati"-shtoi ai.  Çështja e daljes së një vendi nga Eurozona është rikthyer në qendër të vëmendjes pas deklaratave të Marine Le Pen, sipas së cilës, në rast se do të zgjidhet presidente do të nxjerrë vendin nga Eurozona.

Për Draghin dhe ithtarët e Europës së bashkuar, një zgjidhje e tillë është thjesht e pamundur, pasi nuk e lejon traktati i përbashkët. Edhe pasi Greqia rrezikoi daljen nga rajoni i monedhës së përbashkët rreth një vit e gjysëm më parë, sot mbetet e paqartë sesi mund të realizohet një dalje e tillë.

Çështja e daljes nga Eurozona është rikthyer në modë kudo në Europë, e sidomos në Francë e Itali. Në të dyja vendet, dy forca të ndryshme politike, si Fronti Nacional dhe Lëvizja "Pesë Yjet" rrezikojnë të marrin pushtetin, duke realizuar edhe premtimet e tyre më pas.

Mario Draghi refuzoi të flasë për kostot e daljes së një vendi nga Eurozona, ashtu siç i`u kërkua nga disa europarlamentarë. Anëtari i BQE dhe njëkohësisht guvernator i Bankës Qendrore të Francës, Francois Villeroy de Galhau, pretendon se Francës, dalja do t`i kushtojë plot 30 miliardë euro.