Eksportet e “lakmuara” gjermane - Schaeuble fajëson BQE për kritikat e SHBA mbi euron e dobët

Nga
Eksportet e “lakmuara” gjermane - Schaeuble fajëson BQE për kritikat e SHBA mbi euron e dobët

Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble është përfshirë në debatin transatlantik mbi vlerën e përshtatshme të kursit të këmbimit të euros, duke fajësuar Bankën Qendrore Europiane për mbajtjen e valutës në nivele të ulëta.

Komentet e ministrit gjerman vijnë pas kritikave të Donald Trump, ku thuhej se Gjermania po përfiton nga vendet e tjera europiane dhe Shtetet e Bashkuara duke përdorur valutën e zhvlerësuar, për të realizuar suficitin e madh tregtar.

“Kursi i këmbimit të euros është shumë i ulët për pozitën konkurruese të ekonomisë gjermane. Kur presidenti i BQE paraqiti politikat e stimujve, unë i thashë se kjo do të rrisë suficitin tregtar të Gjermanisë, pavarësisht se premtova që mos ta kritikoj në mënyrë publike. Por unë nuk dua të kritikohem për pasojat e kësaj politike”, tha ministri gjerman i Financave për Tagesspiel.

Sipas analistëve, kritikat e Shteteve të Bashkuara qëndrojnë, pasi Gjermania ka një suficit gjigant me Amerikën dhe refuzon të rrisë kërkesën e brendshme për të korrigjuar disbalancat e krijuara prej këtij suficiti.

Sipas analistëve, nëse do të ekzistonte ende marka gjermane, valuta do të kishte një kurs këmbimi shumë më të lartë me dollarin.