Macron: Pa ndërhyrjen e Parisit dhe Berlinit, euro do të shpërbëhet në 10 vite

Nga
Macron: Pa ndërhyrjen e Parisit dhe Berlinit, euro do të shpërbëhet në 10 vite

Euro mund të mos ekzistojë në 10 vite nëse Parisi dhe Berlini dështojnë të fuqizojnë unionin e valutës së përbashkët, thotë kandidati për president në Francë, Emmanuel Macron, duke shtuar se sistemi aktual ka qenë përfitues për Gjermaninë, në kurriz të anëtarëve më të dobët.

Macron ka qenë ministër i Ekonomisë gjatë periudhës së Francois Hollande dhe dha dorëheqjen kohët e fundit për të krijuar lëvizjen e tij politike, duke qëndruar si një kandidat i pavarur në zgjedhjet presidenciale.

Duke folur në Universitetin Humboldt në Berlin, Macron tha se euro është e papërfunduar pa reformat e mëdha. “Nuk i ka ofruar Europës sovranitet ndërkombëtar të fortë kundër dollarit. Nuk i ka ofruar rajonit një konvergjencë natyrore mes vendeve të ndryshme anëtare”, tha Macron.

Franca duhet të zbatojë reformat në tregun e punës dhe të riorganizojë sistemin arsimor për të nxitur ekonominë, ndërsa Gjermania duhet të pranojë se, më shumë investime në vend të masave shtrënguese, mund të nxisin rritjen në Eurozonë, tha Emmanuel Macron.

“Më vjen keq ta pranoj por, keqfunksionimi i euros është favorizues për Gjermaninë”, tha kandidati duke shtuar se mungesa e besimit mes Francës dhe Gjermanisë po bllokon reformat kryesore që mund të rrisin solidaritetin mes 19 vendeve anëtare.

Sipas tij, euro është një markë gjermane e dobët dhe nëse situata vazhdon kështu, brenda 10 vitesh mund të shpërbëhet. Ai propozoi krijimin e një buxheti të Eurozonës për të financuar investimet e orientuara drejt rritjes ekonomike dhe të zgjerohen asistencat financiare për vendet anëtare në vështirësi.

Megjithatë, kjo do të ishte një “mallkim” për kancelaren gjermane Angela Merkel dhe ministrin e Financave Wolfgang Schaeuble, të cilët janë përballur me rezistencë brenda vendit për programet e shpëtimit të Greqisë, nga kritikë që thonë se pagesa të tilla po e kthejnë rajonin në një “union transfertash”.

Kandidati presidencial i bëri gjithashtu thirrje vendeve europiane që të forcojnë bashkëpunimin në mbrojtje, në një kohë të ndryshimit të lidershipit në SHBA.