Lira vazhdon rënien. Mosrritja e normës së interesit përkeqëson situatën

Nga
Lira vazhdon rënien. Mosrritja e normës së interesit përkeqëson situatën

Lira turke ra në nivele rekord të ulëta në sesionin e ditës së Mërkurë, pavarësisht përpjekjeve nga Banka Qendrore për ta mbështetur, duke rritur ofertën e dollarit.

Kjo ka bërë që valuta të ketë performancën më të keqe këtë vit, me humbje me rreth 10% kundër dollarit amerikan.

Lira ra me rreth 2.5% vetëm në fillim të sesionit tregtar të ditës së Mërkurë, për shkak të shqetësimeve mbi stabilitetin ekonomik dhe politik të Turqisë, shtuar dyshimet mbi veprimet e Bankës Qendrore.

Ngurrimi i bankës për të rritur normat e interesit që të frenojë rënien e lirës, ka përkeqësuar shqetësimet e shkaktuara nga bombardimet militante, ngadalësimi ekonomik dhe pasiguritë politike. Lira, që ka humbur rreth ¼-ën e vlerës kundër dollarit që prej grushtit të shtetit në Korrik, shënoi një nivel të ri rekord prej 3.8524 për dollar.

Ditën e Martë, Banka Qendrore reduktoi normën e kërkesave për rezervat valutore me 50 pikë bazë, një lëvizje për të cilën banka tha se do të shtojë 1.5 miliardë dollarë likuiditet në sistem. Banka deklaroi se zhvillimet në tregje po monitorohen  me detaje dhe se hapa të tjera mund të ndërmerren për të mirëmbajtur stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar.

Megjithatë, lëvizja e bankës solli vetëm një ndalesë të përkohshme të rënies së lirës. Disa bankierë thonë se masat e njoftuara nga Banka Qendrore kanë krijuar përshtypjen në tregje se në vend të rritjes së normës së interesit, institucioni do të rriste lehtë likuiditetin në valutë dhe kostot e financimit.

Pritshmëritë e tregjeve qëndrojnë për një rritje të normës me 150 pikë bazë për 3 muaj dhe nëse ky hap nuk merret, presionet te lira do të vazhdojnë.

Në takimin e fundit në Dhjetor, banka qendrore hodhi poshtë pritshmëritë për rritje të normës së interesit duke i lënë të pandryshuara deri në takimin e 24 Janarit. Lira shënoi gjithashtu një nivel rekord të ulët kundër euros në 4.1089.