Shqiptarët, konsumatorët numër një në botë të ullirit, 10.7 kg për frymë

Nga
Shqiptarët, konsumatorët numër një në botë të ullirit, 10.7 kg për frymë

Shqiptarët janë konsumatorët më të mëdhenj të ullirit në Botë, me 10.7 kilogram për frymë në vit. Madje, shqiptarët lënë pas në renditje, me diferencë të theksuar vendet e tjera të Botës. Mjafton të themi se në vend të dytë renditen algjerianët me 6.2 kilogramë për frymë për të theksuar këtë diferencë. Në Bashkimin Europian, Spanja është prodhuesi më i madh dhe konsumatori më i madh i ullirit.

Pavarësisht se janë të parët në Bashkimin Europian, spanjollët konsumojnë 60% më pak ullinj se shqiptarët, në vetëm 4.2 kilogramë për frymë. Të dhënat i referohen vitit 2015 dhe vetëm ullinjve të tavolinës si produkt bazë, dhe jo nën-produkteve të ullirit.

Në raportin e këshillit ndërkombëtar të ullirit, anëtare e të cilit është edhe Shqipëria,  thuhet se, në vendin tonë konsumohen 31 mijë tonë ullinj në vit, dhe në raport me popullsinë kjo e bën vendin më të madh konsumator të ullirit në Botë.

Grekët ndërkohë konsumojnë vetëm 1.8 kilogramë në vit. Në Europë, konsumi i ullirit është dyfishuar pas viteve 90-të, nga 300 mijë tonë në rreth 600 mijë tonë. Një raport tjetër, i disa muajve më parë, theksonte se, industria e vajit të ullirit është në krizë në rang global dhe se Shqipëria është një ndër tre vendet  e vetme në botë ku projektohet të mos ketë rënie të prodhimit gjatë këtij viti, përkundrazi.