Shërbimi i transportit publik, ndryshimet në linjat e urbanëve në Tiranë

Nga
Shërbimi i transportit publik, ndryshimet në linjat e urbanëve në Tiranë

Në një takim të zhvilluar për transportin publik, kryebashkiaku Erion Veliaj ka bërë një përshkrim të pyetësorëve për punën e bërë në këtë shërbim.

“Sot kemi lajmërime të rëndësishme. Të pyetur, 57 për qind e qytetarëve thonë që autobusët duhet të lëvizin më shpejt. Sistemi i GPS ka filluar të na tregojë se me çfarë shpejtësie dhe ku ndodhet autobusi. Brenda këtij muaji do të pajisen të gjitha linjat me GPS, edhe qytetarët duhet ta dine ku ndodhet autobusi. Së bashku me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit po bëjmë një punë të mirë për inspektimin e linjave. Nëse edhe qytetari kthehet në një inspektor, puna bëhet edhe më mirë. Vjet statistikat dhe sondazhet tregonin se gjithçka ishte 90 për qind më keq. Fakti që kemi bërë këtë progres, kjo është inkurajuese për ne. Sa i takon shpeshtësisë së stacioneve 89 për qind e qytetarëve mendojnë se largësia mes stacioneve nuk është problem. 11 për qind mendojnë se duhet të jenë më të shpeshta”, tha Veliaj. 

Nga ana tjetër kryebashkiaku foli edhe për zgjatjen e orareve në linjat e urbanëve “ 62 për qind e qytetarëve mendojnë se linjat urbane duhet të kenë orare më të gjata. Do bëjmë njoftimin për linjat e reja, por edhe të orareve për to”, theksoi ai.

Në përfundim të fjalës së tij, Veliaj foli edhe për masat që do të ndërmerren së shpejti: “Pastrimi do të jetë në fokusin tonë, pasi qytetarët janë shprehur në pyetësorë për këtë çështje 50 me 50 për qind. Do monitorojmë flotën e autobusëve, ndërkohë që sot në të gjithë Tiranën operojmë me 290 të tillë” theksoi Veliaj

Linjat e urbanëve 

Po kështu, Veliaj ka folur edhe për linjat e reja dhe ndryshimet e bëra së fundmi:

-Linja e Kasharit u kthye në një linjë qytetase, njihet abonoja dhe bileta është 40 lekë. Kjo linjë do ketë 21 autobusë shtesë

-Linja ish-Kombinati i Autotraktorëve në ish Institutin Bujqësor njeh abonentë

-Linja e Porcelanit, po testohet zgjatja deri në Pallatet e Linzës. Linja me biletë të njohur nga Bashkia e Tiranës, qarkullojnë 16 autobusë. 

-Linja nga Qyteti Studenti tek Jordan Misja, kemi ndryshime në stacione. Është bërë një zgjatje e linjës, janë 12 autobusë;  

-Linja e Tiranës së Re ka pësuar një zgjatim, deri tek Mbikalimi i autostradës Tiranë-Durrës. Linja ka shtuar 9 autobusë fizarmonikë;

-Linja e Laprakës, funksionon në formë unazore deri tek ish Kombinati Josif Pashko. Kjo linjë do kalojë edhe pranë Instituti Bujqësor, përdoret edhe abonoja. Linja ka shtuar 2 fish flotën, janë 13 autobusë;

-Linja Selitë- Kristal- Allijas mund të përdoret abonoja. Linja ka 14 autobusë

-Linja nga Sauku në Farkë do të kalojë nga qendra tek Stacioni i Trenit, linja me 17 autobusë.

(os.de)