Kursehen 156 mln USD, Ahmetaj: Përfitojnë mbi 27 mijë familje

Nga
Kursehen 156 mln USD, Ahmetaj: Përfitojnë mbi 27 mijë familje

Me shtyrjen e afatit të rivlerësimit të pasurive pritet të përfitojnë më shumë familje shqiptare.

Gjatë një vizite në sportelet e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZRPP) në Tiranë që administrohen nga ADISA, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, vlerësoi  ecurinë e procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.

“Buxheti i shtetit ka arkëtuar rreth 20 milionë dollarë, ndërkohë që për shkak të kësaj takes të ulët, qytetarët kanë kursyer 156 milionë dollarë. Pra, në se tatimi për rivlerësimin e pronës do ishte 15%, pagesa do të ishte 156 milionë dollarë më shumë. Kursimi është i dukshëm dhe ajo që është për t’u shënuar, është se vlera e rivlerësuar e pasurisë së qytetarëve, pra vetëm diferenca (nga vlera historike, në vlerën e tregut) në kaq pak muaj, është 1 miliardë dollarë plus”.

Ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme hyri në fuqi në 1 shtator 2016. Ai parashikon mundësinë për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me vlerën e tregut, duke paguar vetëm 2% tatim nga 15% që ishte për individët. Afati i fundit për rivlerësim është data 31 Maj 2017.