Planet vendore - Hapet procedura për 7 bashki, fondi 106 milionë lekë

Nga
Planet vendore - Hapet procedura për 7 bashki, fondi 106 milionë lekë

Ministria e Zhvillimit Urban ka hapur procedurën e hartimit të planeve vendore për shtatë bashki.

Bëhet fjalë për Mirditën, Pukën, Gramshin, Belshin, Kolonjën, Këlcyrën dhe Përmetin, të cilat do t'i bashkohen grupit të bashkive që tashmë kanë planet vendore të hartuara. Në dispozicion janë vendosur 106 milionë lekë si fond limit dhe operatori ekonomik që do të shpallet fitues duhet të përfundojë punën brenda 25 javësh.

Ashtu sikurse është vepruar edhe më herët dy janë kriteret kryesore që do të mbahen parasysh gjatë hartimit të planit fillestar dhe më pas miratimit të draftit final. Së pari këto plane duhet të jenë në harmoni të plotë me Planin e Përgjithshëm Kombëtar, i cili ka kaluar tashmë në Këshillin Kombëtar të Territorit.

Kriteri i dytë ka të bëjë më gjithpërfshirjen e grupeve të interesit dhe qytetarëve për të bërë sa më transparente, si dhe për të marrë reagimin e nevojshëm në funksion të përmirësimit.

Shumica e bashkive në vend kanë hartuar planet e tyre tashmë ku grupi më i madh prej 26 bashkish u mbështet me 560 milionë lekë për këtë procedurë.