Hapet gara për fondin 2 milionë lekë për përkthyesit. Shtyhet afati i projekteve fituese në art, kulturë e trashëgimi

Nga
Hapet gara për fondin 2 milionë lekë për përkthyesit. Shtyhet afati i projekteve fituese në art, kulturë e trashëgimi

Ministria e Kulturës ka publikuar thirrjen për aplikime për Fondin për Përkthimin Letrar. Ky është viti i katërt radhazi që zhvillohet ky konkurs, i cili nxit dhe mbështet financiarisht përkthimet më të arrira të veprave të letërsisë europiane dhe botërore.

Përveçse si një ndihmesë për përkthyesit dhe shtëpitë botuese, sipas ministrisë fondi është edhe një tregues vlerësimi për përkthimet më të mira në gjuhën shqipe.

Afati i fundit i lënë nga Ministria për të dorëzuar aplikimin është data 28 Shkurt, ora 14:00.

Por institucioni njofton gjithashtu se afati i vlerësimeve përfundimtare për projektet e vitit 2017 do të shtyhet.

Data e re e shpalljes së projekteve fituese do të jetë 20 Shkurti, ndërsa ministria bën të ditur se arsye e shtyrjes është volumi shumë i madh i propozimeve të paraqitura.

Rreth 230 janë projektet që kanë aplikuar për Fondin e Ministrisë së Kulturës, që nga data 1 dhjetor 2016.

Fondi për projekte do të mbështesë propozimet e paraqitura, të cilat kanë në objekt të veprimtarisë së tyre artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore.