Sipërmarrësi shqiptar në fokus të medias italiane. Torta e bukë falas për nënat e reja e pensionistët

Nga
Sipërmarrësi shqiptar në fokus të medias italiane. Torta e bukë falas për nënat e reja e pensionistët

Një sipërmarrës i ri shqiptar nga Shkodra ka tërhequr vëmendjen e medias italiane për natyrën e iniciativave bamirëse. Lulzim Vulashi nga Shkodra zotëron një furrë buke e ëmbëltore në Firence.

Ofertat e tij konsiderohen si “gjetje” nga media dhe e kanë bërë biznesin e tij “Bukë, Dashuri e Fantazi” shumë të famshëm. Sapo futesh në dyqan, krahas buzëqeshjes e produkteve që janë në vitrinë, është edhe ftesa për të lënë numrin e celularit dhe datën e lindjes, në mënyrë që nga ai të të vijë një tortë urimi për ditëlindje.

Kjo është vetëm njëra nga iniciativat sociale të të riut shqiptar 38 vjeçar, pas iniciativave të mëparshme për t’u dhënë bukën falas nënave të reja, për t’ua dhënë bukën me 50 për qind të çmimit gjatë muajit janar pensionistëve apo pas dhënies së ushqimit falas për fëmijët e lagjes në muajin e parë të shkollës. 

Në artikullin e “Citta Nuova”, evidentohet fakti se i riu shqiptar ka bërë një rrugë të gjatë për të arritur deri aty ku është sot. Më herët, ai ka qenë vullnetar pranë “Caritas-it” ndërsa më pas ka nisur të gatuajë për të ushqyer të pastrehët.

“Na pëlqen festa, na pëlqejnë t’i shohim njerëzit të lumtur. Kur i marr në telefon për t’u dorëzuar tortën e ditëlindjes shumë habiten dhe nuk e kuptojnë se si është e mundur që nuk duhet të paguajnë asgjë. Është argëtuese!”, shprehet Lulzimi.

Në artikull evidentohet gjithashtu se ka edhe nga ata që mendojnë se ndokush mund t’i shohë këto akte bamirësie si një konkurrencë të pandershme. Por lidhur me këtë argument, Lulzimi qesh e thotë: ”Ndokush edhe na ka telefonuar por nuk i kemi kushtuar rëndësi. E bëjmë sepse besojmë. Për ne është simbolike. Gjysmë kilogrami bukë nuk i mungon një nëne të re por kur e merr e bën edhe më të lumtur”.

 E sa i përket mundësisë që të hapë në Shkodër një filial të “Bukë, Dashuri e Fantazi”, sipërmarrësi shqiptar shprehet se kjo diçka që po e mendon.

Artikulli i plotë: Kliko këtu