Ndryshon personeli i spitaleve në vend. Sa parashikohet të jetë numri i punonjësve për 2017

Nga
Ndryshon personeli i spitaleve në vend. Sa parashikohet të jetë numri i punonjësve për 2017

Gjatë vitit 2017, numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve do të jetë 12 016 veta, nga të cilët 141 punonjës në Spitalin Universitar të Traumës për Shërbimin e Urgjencës Ambulatore dhe Shërbimin e Ortopedi-Traumatologjisë.

Në të njëjtin vendim të janarit të një viti më parë parashikohej se numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve do të ishte 12 250 veta, edhe pse përgjatë vitit ka pasur disa shpallje për vakanca në personel mjekësor. Ndërkohë, sa i përket vitit 2017, numri dhe struktura e punonjësve për çdo spital do të miratohet nga ministri i Shëndetësisë.

Vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2017, parashikon se për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, sipas nevojave. 

“Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë në muaj” parashikohet në vendim.