Apelimi tatimor, krijohet struktura e re për ankimimet e bizneseve

Nga
Apelimi tatimor, krijohet struktura e re për ankimimet e bizneseve

Bizneset tashmë do të kenë një strukturë të re ku mund të apelojnë gjobat apo vendimet administrative me vlerë të lartë. Qeveria ka miratuar vendimin për ngritjen e në Ministrinë e Financave të Komisionit për Shqyrtimin e Apelimit Tatimor.

Komisioni për Shqyrtimin e Apelimit Tatimor do të shqyrtojë dhe të marrë vendime për ankimin administrativ tatimor që ka për objekt ankimi vlerën mbi 20 000 000 (njëzet milionë) lekë.

Ankimet administrative tatimore deri në këtë vlerë janë objekt shqyrtimi dhe vendimmarrjeje i Drejtorisë së Apelimit Tatimor. Për qëllime të këtij parashikimi ligjor, vlera objekt ankimi do të konsiderohet vlera e detyrimit tatimor dhe/ose ulja e tepricës kreditore apo humbjes tatimore si dhe refuzimi i kërkesës për rimbursim.   

Në përbërje të strukturës së re të ankimimit do të jenë 7 anëtarë, përfshirë kryetarin. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit caktohen nga ministri i Financave për një afat 2-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje jo më shumë se 2 mandate, sipas  propozimit të institucioneve përkatëse, me përbërjen e mëposhtme:

a) tre përfaqësues nga Ministria e Financave;

b) dy përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;

c) drejtori i Drejtorisë së Apelimit Tatimor;

ç) një përfaqësues nga Avokatura e Shtetit.  

Masa e shpërblimit për kryetarin dhe anëtarët e Komisionit do të jetë 20 000 lekë në muaj ndërsa sekretariati do të marrë një shpërblim në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj.