Reformat ekonomike, programi 2017-2019 diskutohet me donatorët

Nga
Reformat ekonomike, programi 2017-2019 diskutohet me donatorët

“Programi i Reformave Ekonomike 2017-2019”, ka qënë fokusi i tryezës të organizuar nga Ministria e Ekonomisë me donatorë dhe përfaqësues të organizmave kryesore ndërkombëtare, më të cilat bashkëpunon vendi ynë.

Nën drejtimin e Zv.Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Adela Karapici, përfaqësuesit e ndryshëm të institucioneve ndërkombëtare, diskutuan mbi reformat strukturore kryesore të parashikuara nga qeveria në periudhën afatmesme, për nxitjen e rritjes ekonomike dhe rritjes së konkurrueshmërisë.

Nga ana e tyre, përfaqësues nga donatorët dhanë komentet dhe sugjerimet për disa nga reformat kryesore të parashikuara në program.

Programi i Reformave Ekonomike 2017-2019 përmban 19 reforma, sipas fushave: menaxhimi i financave publike; energjia, transporti dhe tregjet e telekomit; zhvillimet sektoriale; klima e biznesit dhe ulja e ekonomisë informale; kërkim dhe inovacion; tregtia e jashtme dhe lehtësimi i investimeve; arsimi dhe aftësimi; Punësimi dhe tregu i punës; përfshirja sociale, ulja e varfërisë dhe shanset e barabarta.

Përsa i përket zhvillimeve sektoriale, reformat kryesore janë: konsolidimi dhe defragmentimi i tokës bujqësore; standardizimi i industrisë së turizmit; dhe prezantimi i politikave strategjike për industrinë jo-ushqimore.

Ndërkaq, në fushën e klimës së biznesit dhe uljes së ekonomisë informale, dy reformat kryesore do të jenë: reduktimi i barrierave për biznesin dhe implementimi efektiv i planit kombëtar për reduktimin e nivelit të kredive të këqija në sistemin bankar. Ky dokument pas miratimit nga Këshilli i Ministrave do të dorëzohet pranë Komisionit Europian.