Tirana policentrike, ku do të jenë 5 qendrat më të zhvilluara të kryeqytetit

Nga
Tirana policentrike, ku do të jenë 5 qendrat më të zhvilluara të kryeqytetit

Në një hark kohor jo shumë të gjatë, Tirana do të marrë një pamje të re sa i përket zhvillimi ekonomik, kjo e nxitur edhe nga Bashkia e Tiranës.

Plani i Përgjithshëm Vendor, i miratuar së fundmi në Këshillin Bashkiak dhe që pritet të kalojë edhe në Këshillin Kombëtar të Territorit, parashikon krijimin e Tiranës policentrike.

E thënë ndryshe, në kryeqytet do të krijohen 5 qendra të reja urbane ku do të përqendrohen një pjesë e mirë e shërbimeve. Konkretisht, qendrat janë parashikuar në Kombinat, Kinostudio, Laprakë, tek Bulevardi i Ri si dhe në Shkozë.

Në këto qendra do të merren masa për nxitjen e investimeve private si dhe investimeve publike të Bashkisë, në infrastrukturë sekondare dhe shkolla të reja si qendra komunitare me qëllim përqendrimin e një mase kritike kapitali në një hapësirë qendrore urbane.

Kjo qasje parashikohet të rrisë cilësinë dhe sasinë e shërbimeve të ofruara në këto zona të ndërlidhura mirë me njëra-tjetrën me transport publik si dhe me rrjetin minimal të biçikletave.

Bashkia parashikon që bashkërendimi i këtyre elementëve, do të rrisë aksesin e qytetarëve në shërbime pranë vendbanimeve të tyre si dhe do të krijojë disa qendra të reja me karakteristika të ndryshme nga njëra tjetra, si: qendra universitare, artizanale, artistike, mediatike, etj.