Obligacionet në euro/Qeveria bën “bis”, kërkohen 50 mln euro

Nga
Obligacionet në euro/Qeveria bën “bis”, kërkohen 50 mln euro

Rritja e interesave në lekë po bën që qeveria shqiptare ta zhvendosë huamarrjen drejt euros. Pas ankandit të suksesshëm për 35 milionë euro në fund të nëntorit, qeveria ka shpallur një ankand tjetër të obligacioneve në euro për datën 20 janar.

Shifra e kërkuar do të jetë edhe më e lartë: 50 milionë euro. Në tremujorin e fundit 2016, ankandet e titujve të borxhit në lekë ishin karakterizuar nga rritja e interesave dhe mosplotësim i shumës së shpallur për financim.

Ministria e Financave e ka paralajmëruar një zhvendosje të pjesshme të huamarrjes së brendshme drejt euros edhe në relacionin e projektbuxhetit të këtij viti. Në vitet e fundit, vërehet një rënie e kreditimit në euro dhe një rritje e huadhënies në lekë.

Ndërkohë, për sa i takon depozitave tendenca ka qenë e kundërt, me një rritje të ndjeshme të kursimeve të ekonomisë në euro. Në këto kushte, në sistemin financiar është krijuar një tepricë likuiditeti në euro, që për bankat bart kosto të konsiderueshme, në kushtet e interesave negative mbi tepricat që mbizotëron në eurozonë.

Bankat e kanë mirëpritur mundësinë që ka dhënë qeveria shqiptare dhe në ankandin e nëntorit kërkesat totale arritën në rreth 98 milionë euro. Ky bollëk likuiditeti bëri që kuponi i obligacioneve të arrinte në 0.75%, shumë më i ulët krahasuar me instrumentet me maturitet të njëjtë të denominuara në lekë.

Rrjedhimisht, qeveria ka vendosur ta shfrytëzojë këtë situatë të favorshme në treg për të marrë më shumë hua me kosto të ulët në monedhën e përbashkët europiane.