KQZ gati shpërblimet, zbulohet shuma që do të marrin numëruesit e votave

Nga
KQZ gati shpërblimet, zbulohet shuma që do të marrin numëruesit e votave

Kur mbeten më pak se gjashtë muaj nga data e zgjedhjeve të 18 qershorit për Kuvendin e Shqipërisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë gati listën e shpërblimeve.

KQZ pritet të vendosë në mbledhjen e së enjtes masën e shpërblimit në vlerën 65.000 lekë për kryetarin dhe zv.kryetarin e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve, për angazhimin nga moment i konstituimit e deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar.

Ndërsa anëtarët dhe sekretari i KZAZ-së pritet të përfitojnë nga 60.000 lekë. Të tjera tarifa parashikohen për Komisionet e Qendrave të Votimeve. Kryetari i KQV-së pritet të përfitojë një shumë prej 4.000 lekësh dhe anëtarët e tjerë do të marrin nga 3.500 lekë.

Një shpërblim më të lartë që shkon në vlerën e 6.000 lekëve pritet të marrin edhe anëtarët e grupeve të numërimit të votave. 

Sipas Kodit Zgjedhor, Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve emërojnë anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit - jo më vonë se 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

Anëtarët e KQV-së janë në detyrë deri në dorëzimin e kutisë së votimit dhe materialeve zgjedhore. Ndërsa Grupet e Numërimit caktohen 10 ditë para datës së zgjedhjeve dhe janë në detyrë deri në përfundimin e numërimit të votave.

Të tjera vendime që pritet të shqyrtohen në mbledhjen e KQZ-së janë “Për caktimin e njësive administrative ku do të krijohen selitë e KZAZ-ve, ngritja e zyrave rajonale zgjedhore etj.