Legalizimet, qeveria zgjeron kategoritë, përfitojnë 30 mijë familje

Nga
Legalizimet, qeveria zgjeron kategoritë, përfitojnë 30 mijë familje

Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë një vendim që zgjeron kategoritë e atyre që përfitojnë nga procesi i legalizimeve. Në një deklaratë pas mbledhjes Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni sqaroi se janë 30 mijë familje që preken nga ky vendim.

“Sipas të dhënave janë rreth 26 mijë deri në 30 mijë familje në Republikën e Shqipërisë, të cilat jo për faj të tyre, nuk kanë mundur të marrin hipotekën e pronës ku jetojnë. Në të gjithë vendin numërohen rreth 1 320 pallate që preken nga ky vendim, 700 prej të cilave në territorin në administrim të bashkisë së Tiranës. Këto familje edhe pse e kanë blerë pronën në mirëbesim, nuk janë bërë pronarë, për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e ndërtuesve. Pra, qytetarët, të cilët kanë shlyer detyrimet e tyre financiare ndaj ndërtuesve të pallateve, nuk mund të penalizohen prej këtyre ndërtuesve, të cilët nuk kanë respektuar rregullat apo detyrimet ligjore. Ndaj ky vendim, i miratuar sot nga Qeveria i jep zgjidhje përfundimtare kësaj problematike të mbartur në vite dhe bën të mundur legalizimin e pronave për këto familje”, tha Gjermeni.

Sipas të dhënave zyrtare deri më tani janë legalizuar në total 110 mijë objekte informale nga rreth 500 mijë objekte që janë të vetëdeklaruara.